Lajme

Lushtaku: Qeveria edhe shëndetësia kanë nevojë për infuzion

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka ironizuar me Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti lidhur me gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

Ai ka dërguar një infuzion në ulësen e Kurtit duke ironizuar me gjendjen në shëndetësi.

“Qeverisë Kurti i ka humbur rruga në oborr.Gjendja në shëndetësi është e rëndë, me mungesë të barnave nga lista esenciale kurse në kulmin e krizës vjen dorëheqja e Ministrit të dytë në një vit e gjysmë qeverisje. Një infuzion ia vendosa sot për shkak qe qeveria është aq e dobët, sa nuk po qëndron dot në këmbë. Duke parë dhe paaftësinë në përgjithësi të Qeverisë, më së miri do të ishte dorëheqja e kryeministrit sepse po dështon në çdo sferë të jetës”, ka shkruar Lushtaku në një postim në Facebook.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, gjatë ditës së djeshme ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

Në letrën dërguar kryeministrit Kurti, Latifi ka shkruar se me zhgënjim të thellë dhe pas shumë reflektimesh e ofron dorëheqjen nga pozita e ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Ndërsa sot gjatë ditës, gazetarët e pyeten Kurtin rreth dorëheqjes së Latifit.

“Nuk e kam takuar akoma ministrin Latifi, por pres që sot gjatë ditës të zhvillojë një takim me të”, ishte përgjigjja e kryeministrit Kurti.

Kujtojmë se ish-ministri i Shëndetësisë, ishte cak i kritikave të shumta në muajt e fundit, për shkak të performancës së tij.

Latifi ishte emëruar në pozitën e ministrit, pas dorëheqjes së Arben Vitisë, për shkak të angazhimit në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

/Shqip.com