Lajme

Latifi jep dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, sot gjatë ditës ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

Në letrën dërguar kryeministrit Kurti, Latifi ka shkruar se me zhgënjim të thellë dhe pas shumë reflektimesh e ofron dorëheqjen nga pozita e ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Latifi ishte emëruar në pozitën e ministrit, pas dorëheqjes së Arben Vitisë, për shkak të angazhimit në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Lexo edhe:
Rifat Latifi, ministër i ri i Shëndetësisë

Për ministrin Latifi kjo nuk ishte detyra e parë publike në shtetin e Kosovës, sepse ai ka qenë i angazhuar edhe më herët.

Në vitin 2009 ai ishte emëruar Këshilltar për Shëndetësi i kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.

Prej kohës që ishte emëruar si ministër, Latifi ka qenë subjekt i kritikave të vazhdueshme, sa i përket performancës së tij dhe udhëtimeve të shpeshta jashtë vendit./Shqip.com

/Shqip.com