Lajme

Lumezi takon bordin e ri të RTK-së, shprehet i gatshëm t’i adresojë shqetësimet lidhur me shkeljet eventuale

Lumezi në takim me bordin e RTK-së

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur këtë të martë në takim Kryetarin e ri të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini së bashku me disa anëtarë të këtij bordi, si dhe u.d Drejtorin e Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Në takim i pranishëm ishte edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Siç thuhet në njoftim, gjatë këtij takimi, Lumezi ka shprehur gatishmërinë institucionale për të bashkëpunuar me bordin e ri të RTK-së dhe me u.d Drejtorin e Përgjithshëm në adresimin e të gjitha shqetësimeve lidhur me çfarëdo shkelje eventuale ligjore që mund të ketë ndodhur në RTK.

“Po ashtu, palët patën diskutime konstruktive dhe konkrete për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional”, thuhet në njoftimin për media.

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Bordin e Radio Televizionit të Kosovës me 6 dhjetor, i cili ka këtë përbërje:

Fatmire Lumi Qehaja, Arta Berisha, Albulena Mehmeti, Shukrije Rama, Driton Hetemi, Besnik Boletini, Safet Kabashaj dhe Bekim Sele./SHQIP.com