Lajme

Lukas Mandl nderohet me çmim nga Universiteti “Kadri Zeka”

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka nderuar anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl me çmimin “Doctor Honoris Causa”.

E ky çmim sipas tyre po i jepet për shkak të avokimit të çështjes së Kosovës dhe kontributit në proceset shtetformuese.

“Ky titull nderi i është ndarë, ndër të tjera,  për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore, në mbështetjen dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, në rajon dhe më gjerë, si dhe për kontribut në proceset shtetformuese të Kosovës dhe për mbështetje të pakursyer dhe avokim për njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, thuhet në njoftimin e universitetit.

Me këtë rast, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna, theksoi se Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës qëndrojnë të përkushtuara në zhvillimin e një shoqërie të aftë për t’i bërë ballë sfidave që i qëndrojnë përpara dhe është e motivuar që të punojë për të mirën dhe për të drejtën.

Sipas saj, rol-modele si Mandl na duhen neve dhe i duhen të drejtës, si dhe të gjithë atyre që  bartin në vete vlerat e vërteta evropiane.

Ajo uroi që ky titull si simbol i respektit e mirënjohjes së thellë, i ndarë nga Universiteti “Kadri Zeka”, të shërbejë si udhërrëfyes për angazhimin e Mandl edhe në të ardhmen.

/Shqip.com