Lajme Ballkan

Lufta kundër korrupsionit, prioritet i SHBA-së në Maqedoninë e Veriut

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, ka bërë të ditur se për Uashingtonin, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të ketë prioritet në Maqedoninë e Veriut.

Ajo i ka bërë këto deklarata pak para vizitës së Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet në rajonin e Ballkanit.

“Me Chollet do të diskutohen prioritetet e përbashkëta, ndërkohë që çështja e korrupsionit mbetet primare për Uashingtonin. Ai do të ngre më shumë çështje gjatë vizitës brenda kësaj jave”.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se çdo ndihmë që vjen nga Uashingtoni paraqet një shtytje të rëndësishme sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndryshe, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, në Maqedoninë e Veriut ka qëndruar një ekip për sanksione nga Uashingtoni për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion, raporton Radio Evropa e Lirë.

/Shqip.com