Sport Shqiptar

Llapi merr “goditje” nga FIFA

Skuadra e Llapit sot e ka marrë “goditjen” e radhës. Llapjanët e kanë futur veten në telashe për shkak të borxheve të pashlyera.

Derisa pak javë më parë, iu lakua emri për kurdisje të mundshme ndeshjeve përmes shkrimeve të publikuara nga mediat franceze, tash klubi llapjan e ka marrë një “shuplakë” nga FIFA, e cila ka vendosur t’ia bëjë “ban” regjistrimin e lojtarëve vendorë dhe të atyre të huaj.

Ky vendim i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit ka ardhur si pasojë e borxhit të pashlyer që ia ka klubi nga Podujeva ish-trajnerit të ekipit të të rinjve, Alan Clark, i cili fillimisht kishte zbarkuar në “Zahir Pajaziti” si këshilltar i trajnerit Tahir Batatina.

Nëse Llapi nuk i shlyen borxhet ndaj trajnerit Clark, hapi i radhës do të jetë dënimi me heqje të gjashtë pikëve, e më pas vendimi më drastik, përjashtimi nga liga elitare e futbollit kosovar.

/Shqip.com