Zhvillimet e fundit nga lufta Ukrainë – Rusi

Tenka ukrainase në qytetin e Mariupolit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se numri i viktimave civile mund të jetë shumë më i lartë në qytetet e tjera të çliruara nga kontrolli rus, pasi një numër në rritje i liderëve – përfshirë presidentin e SHBA-së Joe Biden – thonë se mizoritë  që supozohet se janë kryer nga forcat ruse  në Bucha janë një “krim lufte”. 

Këtu janë zhvillimet më të fundit për luftën në Ukrainë:

  • Imazhet satelitore hedhin poshtë pretendimet e Rusisë: Imazhet e reja satelitore nga Maxar tregojnë se trupat e civilëve të vdekur në Bucha ishin shtrirë në rrugë për javë të tëra, duke përfshirë edhe kohën kur qyteti ishte nën kontrollin rus. Rusia pretendoi se videot dhe imazhet nga Bucha ishin “të rreme”, por fotografitë e reja tregojnë se objektet në rrugën Yablunska përputhen me vendndodhjet e sakta ku shihen kufomat në rrugë në video, raporton CNN.
  • Zelensky paralajmëron për mizori më të këqija: Numri i viktimave civile mund të jetë shumë më i lartë në Borodyanka dhe qytete të tjera të çliruara, tha Zelensky të hënën. Në Bucha, Zelensky tha se kishte  më shumë se 300 njerëz të vrarë,  por se numri i përgjithshëm i viktimave ka të ngjarë të rritet ndërsa i gjithë qyteti kontrollohet.  
  • SHBA do të vendosë sanksione të reja: SHBA do të shpallë sanksione të reja kundër Rusisë këtë javë, tha këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan. Duke iu përgjigjur imazheve  të dhunshme të fundit  nga Bucha, Biden tha se ai “po kërkonte më shumë sanksione” kundër Rusisë dhe do t’i shpallte ato së shpejti. Ai tha se vrasjet ishin një “krim lufte” dhe bëri thirrje që të zhvillohet një gjyq kundër Putinit.
  • Zelensky do t’i drejtohet OKB-së: Presidenti ukrainas do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën në mëngjes, konfirmoi një zëdhënës për CNN. Fjalimi do të mbahet gjatë konferencës së këshillit në orën 10 të mëngjesit ET mbi Ukrainën.
  • Bucha: Zyrtarët ukrainas u treguan mediave ndërkombëtare heqjen e pesë trupave nga një bodrum në  Bucha . Një ekip i CNN vizitoi bodrumin dhe pa kufomat përpara se të largoheshin. Pesë burra ishin torturuar dhe ekzekutuar nga ushtarë rusë, sipas Anton Gerashchenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm ukrainas. CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Gerashchenkos.
  • Konvoji i Mariupolit është ndalur: Zëvendëskryeministri i Ukrainës tha se një kolonë prej shtatë autobusësh të drejtuar për në qytetin e rrethuar të Mariupolit ishte ndaluar në qytetin Manhush të kontrolluar nga Rusia. Më herët gjatë ditës, kryebashkiaku i Mariupol tha se më shumë se 100,000 njerëz kërkonin evakuim nga qyteti, duke thënë se ishte “në prag të një katastrofe humanitare”.