Tahiri: Tensionet që po zhvillohen kanë prapavijë ‘veriun’

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se tensionet të cilat janë duke u zhvilluar kanë prapavijë ‘veriun’

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se Serbia gjithmonë ka qenë në kërkim të skenarëve për ta ndarë veriun nga Kosova.

“Serbia gjithnjë ka qene ne kërkim të pretekstit për skenarë të ndarjes se veriut nga Kosova, e ka shfaqur indirekt edhe në dialogun e Brukselit, sa isha kryenegociatore për shtate vite nuk e lejova asnjëherë, madje kur ishte nevoja ua tregoja se tokat shqiptare shtrihen deri te ‘molla e kuqe’. Këto tensione qe po zhvillohen kane për prapavije ‘veriun’. Nuk është e rastësishme qe Vucic sot i beri thirrje SHBA-ve dhe NATO-s te ndërhyje ne veri për ta qetësuar situatën”, shkroi Tahiri.

Tahiri tha se duhet të angazhohet i gjithë spektri politikë lidhur me këtë çështje për të moslejuar destabilizimin e Kosovës.

“Prandaj, Qeveria e Kosovës por edhe gjithë spektri politik, pozite dhe opozite, duhet te jene ne nivelin e përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare për të mos lejuar skenarë që mund të destabilizojnë situatën dhe të çojnë ujë në mullirin e Vuciqit!”.

Gjatë ditës së sotme, deputetet e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës thuhet se dhjetë deputetë nga Lista Serbe kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre dhe ato janë të parevokueshme.

Dorëheqjet e tyre i kanë ofruar edhe rreth 150 zyrtarë të komunitetit serb në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Kujtojmë se Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë për pezullimin nga puna drejtorin rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Po të njëjtën ditë, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë e Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre.

Dorëheqjet e tyre kanë vazhduar edhe në ditët pasuese – në mesin e dorëheqjeve janë edhe ato të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe.

Dje është mbajtur edhe një protestë ne veri të Kosovës në të cilën u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lista Serbe ka njoftuar se ata nuk do të kthehen në institucione derisa të largohet vendimi për targat si dhe deri në formimin e Asociacionit.