Sveçla: U larguan 578 serbë nga Policia e Kosovës, situata në veri e qetë

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se deri tani kanë dhënë dorëheqje 578 pjesëtarë serb nga Policia e Kosovës.

“Gjatë këtyre ditëve, në zonën e drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës në veri janë pranuar njoftimet për dorëheqje. Deri më tani janë pranuar 578 dorëheqje”, tha Sveçla.

Sveçla tregoi edhe për incidentet e ndodhura gjatë kësaj kohe ndaj personave që kanë bërë ndrrimin e targave nga ato ilegale në legale.

“Që nga muaji qershor, kemi pasur pesë vetura te djegura, një djegje të një kontinieri ku ka banuar një zyrtar policor, një rast i djeges së një shtalle. Nga 1 nentori kemi filluar zbatimin e vendimit, deri me 21 nëntor do të vazhdojmë me qortimiet ,deri më tani nuk ka ndonjë ankesë, vëretje.

Tutje, Sveçla tha se situata e sigurisë së Kosovës në veri ëhtë e qetë dhe janë duke bërë gjithçka që ajo të mbahet në kontroll.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia po orkestron situate të tilla në Kosovë për të maskuar refuzimin e planit franko-gjerman.

“Qëllimi i Beogradit nuk është për ta refuzuar planin por qëllimi i tyre është maskimi i planit. Pra ata e kanë refuzuar planin dhe tani i bëjnë këto drama që nuk duhet të shëndrrohen në tragjedi për ta maskuar refuzimin”, tha Kurti.

Kurti tha se planin franko-gjerman e kanë cilësuar si të duhur ndërsa për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tha se tash e nëntë vite e ka përgjigjën për këtë.

Gjatë ditës së sotme, deputetet e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës thuhet se dhjetë deputetë nga Lista Serbe kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre dhe ato janë të parevokueshme.

Dorëheqjet e tyre i kanë ofruar edhe rreth 150 zyrtarë të komunitetit serb në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Kujtojmë se Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë për pezullimin nga puna drejtorin rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Po të njëjtën ditë, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë e Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre.

Dorëheqjet e tyre kanë vazhduar edhe në ditët pasuese – në mesin e dorëheqjeve janë edhe ato të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe.

Dje është mbajtur edhe një protestë ne veri të Kosovës në të cilën u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lista Serbe ka njoftuar se ata nuk do të kthehen në institucione derisa të largohet vendimi për targat si dhe deri në formimin e Asociacionit.