Sveçla: IPK-ja t’i fillojë hetimet ndaj policëve që u morën me rastin e gruas që u vra në QKUK

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të nis hetimet e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të cilët janë përfshirë në trajtimin e rastit të gruas së vrarë në QKUK.

Sveçla përmes një postimi në Facebook tha do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.

“Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër. Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës”, ka shkruar ai.

Sveçla ja njoftuar se janë angazhuar të gjitha kapacitetet policore që i dyshuari për vrasje të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë.