Shkatërrimi i urave ka penguar përparimin e trupave ruse
Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe në përditësimin ditor të informatave për situatën në Ukrainë ka njoftuar se trupat ruse janë duke pasur vështirësi në ruajtjen e ritmit të tyre të avancimit në tërë territorin e Ukrainës.
Trupat ruse janë duke hasur në vështirësi në territorin e Ukrainës ngase konvojet e tyre të cilat lëvizin nëpër autostrada dhe rrugë të tjera janë shndërruar në caqe të lehta.
Shkatërrimi i urave nga ushtria ukrainase po vlerësohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në vështirësimin e përparimit të tyre.
“Taktika e Forcave të Armatosura të Ukrainës ka shfrytëzuar me mjeshtëri mungesën e manovrës së Rusisë, duke frustruar përparimin rus dhe duke u shkaktuar humbje të mëdha forcave pushtuese”, thuhet në vlerësim.
Ndryshe kjo është dita e 21-të e luftimeve ndërmjet forcave ruse dhe trupave ushtarake ukrainase. Ukraina është zotuar se do të luftojë kundër pushtuesve gjersa Rusia është zotuar se do të arrijë objektivat e saj në rrëzimin e Qeverisë. /Shqip.com