Shefi ushtarak rajonal: Forcat ukrainase janë tërhequr nga qyteti i kontestuar i Svitlodarsk

Forcat ruse kanë marrë qytetin e kontestuar të Svitlodarsk në rajonin lindor të Donbasit dhe forcat ukrainase janë tërhequr, sipas Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake rajonale të Donetskut, shkruan CNN.

“Rreth 10,000 civilë mbeten në Svitlodarsk të pushtuar,” tha Kyrylenko të martën. “Jo më shumë se 30% e popullsisë u largua nga qyteti. Sot, më 24 maj, ushtria ruse hyri në Svitlodarsk në rajonin e Donetsk. Flamujt rusë tashmë janë ngritur atje.”

Sipas Kyrylenkos, Svitlodarsk ishte i rrethuar nga tre anët dhe qyteti nuk ishte nën granatime intensive, kështu që një pjesë e madhe e popullsisë civile kishte mbetur.  

“Ky nuk është një tërheqje [e Forcave të Armatosura të Ukrainës], por një rigrupim,” tha ai. “Ky është vendimi i duhur dhe logjik në këtë situatë për të shpëtuar jetën e [ushtarakëve] dhe për të rigrupuar.”

Kanalet pro-ruse Telegram treguan imazhe të flamurit rus duke u ngritur mbi ndërtesën e administratës së qytetit në Svitlodarsk.

Kyrylenko e përshkroi gjithashtu situatën si “shumë të vështirë” në Lyman, një qytet më në veri në rajonin e Donetsk. “Situata atje tani është një nga më të tensionuarat përgjatë gjithë vijës së frontit,” tha ai.