Sanksionet duhet të përfshijnë naftën dhe gazin, sipas anëtarëve të kongresit amerikan

Sanksionet perëndimore kundër Rusisë të përfshijnë shitjet e naftës dhe gazit.

Një gjë e tillë është e nevojshme sipas anëtarëve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët iu drejtuan Sekretares së Thesarit të SHBA-s, Janet Yellen të mërkurën, shkruan BBC.

Zonja Yellen, e cila mbikëqyr zbatimin e sanksioneve amerikane kundër Rusisë, po dëshmon në Uashington për përpjekjet ndërkombëtare për t’iu përgjigjur luftës në Ukrainë.

Aleatët perëndimorë e kanë goditur Rusinë me sanksione të rënda, por deri më tani kanë lejuar boshllëqe për transaksionet e naftës dhe gazit, të shqetësuar për ndikimin ekonomik në vendet e tyre.

Disa në Kongres thanë se këto duhet të marrin fund.

“Ne mund të bëjmë më shumë,” tha përfaqësuesi Andy Barr, republikan nga Kentaki, “Mizoritë… e bëjnë të nevojshme që SHBA të përdorë fuqinë e saj të plotë të sanksioneve, duke përfshirë kufizimin gjithëpërfshirës të aftësisë së Rusisë për të përfituar nga shitja e naftës dhe gazit.”

Zonja Yellen tha se SHBA po punonte me aleatët për këtë çështje, ndërsa ata po përpiqen të reduktojnë mbështetjen e tyre.

“Për fat të keq, shumë nga partnerët tanë evropianë mbeten shumë të varur nga gazi natyror dhe nafta ruse,” tha ajo. “Ne jemi duke punuar ngushtë me ta për sanksionet dhe duam të qëndrojmë në linjë me ta.”

Sanksionet për Rusinë vazhdojnë të rriten, pasi Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të rej./Shqip.com