Refugjati që po shfaq përjetimet e luftës në murale

Mehmet Qorrolli ka vendosur që luftën e Kosovës dhe rrugëtimin e vështirë të refugjatëve, ta dokumentojë përmes pikturimit të muraleve në qytetin e Ferizajt.

Pavarësisht moshës së shtyrë, pjesën e mbetur të jetës, ka vendosur t’ia kushtoj artit pamor.

“Çdo piktor punon në kohën kur jeton. Unë kam qenë në gjendje të luftës, kjo e ka një domethënie të madhe, si kanë shkuar me mundime të mëdha, si kanë kërkuar ndihma, si kanë kërkuar ushqim, rroba etj”, thotë artisti Mehmet Qorrolli.

Fëmijë në lot, nëna në kërkim të ushqimit e duart mbi gjemba, i ka parë vetë ai gjatë qëndrimit në kampin e refugjatëve në Maqedoni të Veriut.

“Kam paraqitur Kampin në Maqedoni. Refugjatët kanë shkuar prej Ferizajt. Shihet si kanë shkuar nënat të zbathura me fëmijët në supe, me trauma, këtu edhe kanë qarë, ka qenë një kamp që mund ta quajmë kamp i mjerimit, luftës, por edhe shpëtimit”, shpjegon tutje ai.

“Aty u pa një kamion duke shpërndarë bukë, ujë qumësht për fëmijë, për të mëdhenjtë ushqim. Unë aty kam qëndruar një muaj me atë njerëz së bashku, prandaj edhe më lindi ideja që ta bëjë se unë thash se unë në kamp kam qëndruar së bashku me ta dhe thashë të rrijë edhe në mural së bashku me ta”.

Përjetësimi i të kaluarës së tij e të shumë shqiptarëve, Muhameti thotë se ka për qëllim që t’ia tregoj botës vuajtjet e shumë refugjatëve.

“Motivin na ka dhënë lufta. Çdo piktor është për popullin, mjerimin. Vetë lind ideja, njeriu impresionohet në atë moment kur ai jeton. Për shembull, jeta shkruan ditar, se unë e kam edhe ditarin e luftës, aty e paraqes, por edhe morali është një dokument që nuk fshihet”.

“Unë dha mesazh që t’i mbrojmë sepse janë për të mirën e popullit. Është një dokument pamor që e sheh me sy, si kanë vuajtur në vitin 1999, si kanë jetuar në kampe, pse kanë jetuar në gjemba”, deklaroi për fund artisti Mehmet Qorrolli.

Ai thotë se punën do ta vazhdojë edhe në murale të tjera, e që për temë do të kenë gjithmonë historinë e vendit.