Osmani: Marrëveshjet e arritura do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit me BE-në

Sot gjatë ditës në Berlin po zhvillohet samiti I radhës. Në këtë samit u nënshkruan tri marrëveshje.

Lidhur me nënshkrimin e tyre ka ardhur edhe reagimi nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas Osmanit, marrëveshjet e arritura do të kontribuojnë në forcimin dhe bashkëpunimin me BE-në.

“Presidentja e Republikës së Kosovës ka mirëpritur marrëveshjet e arritura sot në Berlin, në kuadër të Procesit të Berlinit, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal” thuhet në njoftim.

Më tutje Osmani ka thënë se marrëveshjet do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në heqjen e barrierave administrative në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Por, cilat janë marrëveshjet që synojnë të përafrojnë vendet e këtij rajoni?

Njëra ndër tri ujditë ka të bëjë me njohjen reciproke të kartave të identitetit, tjetra ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale ndërmjet palëve që e nënshkruajnë.

Marrëveshja e tretë është ajo mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e të dyja vendeve.