Nuk ka dorëheqje të serbëve në ATK 

Administrata Tatimore e Kosovës
Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës ende nuk ka pranuar asnjë dorëheqje nga punëtorët e saj të komunitetit serb.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi – Sefa.

“Sipas kërkesës tuaj lidhur me punonjësit e komunitetit serb nëse kemi ndonjë dorëheqje. Ju njoftojmë se ATK zyrtarisht nuk ka pranuar asnjë dorëheqje nga punonjësit e komunitetit serb”, thuhet në përgjigjen e Bytyqit.

Gjatë ditës së sotme, deputetet e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar shefi i stafit të kryekuvdendarit, Ilir Kërçeli.

“Po, mund të ju konfirmojë se deputetet e Listës Serbe sot i kanë dorëzuar mandatet e tyre. Informacione të tjera nuk kam sepse pak më herët me informoi administrata e Kuvendit. E di se ato tashmë janë dorëzuar në administratë”, tha Kërçeli.

Ndërsa, në njoftimin e Kuvendit të Kosovës thuhet se dhjetë deputetë nga Lista Serbe kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre dhe ato janë të parevokueshme.

“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë për pezullimin nga puna drejtorin rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Po të njëjtën ditë, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë e Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre.

Dorëheqjet e tyre kanë vazhduar edhe në ditët pasuese – në mesin e dorëheqjeve janë edhe ato të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe.

Dje është mbajtur edhe një protestë ne veri të Kosovës në të cilën u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lista Serbe ka njoftuar se ata nuk do të kthehen në institucione derisa të largohet vendimi për targat si dhe deri në formimin e Asociacionit.