Negociatorët diskutuan për armëpushimin e mundshëm, thotë këshilltari presidencial ukrainas
Të martën janë zhvilluar bisedimet ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll.
Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, përshkroi të martën disa nga çështjet që u diskutuan në bisedimet.
Sipas tij tema kryesore është garancia ndërkombëtare e Ukrainës, shkruan CNN.
“Kryesorja është marrëveshja për garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën. Vetëm me këtë marrëveshje ne mund t’i japim fund luftës siç i duhet Ukrainës,” tha Podolyak.
Grupi i dytë i çështjeve, shtoi Podolyak, “është çështja e një armëpushimi, në mënyrë që të gjitha problemet humanitare të mund të zgjidhen.”
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se ka një krizë të madhe humanitare në qytetet që kanë qenë nën bombardimet e rënda ruse, duke përfshirë portin e rrethuar të Mariupolit.
Podolyak aludoi gjithashtu në video dhe prova të tjera që janë shfaqur për keqtrajtimin e dukshëm të të burgosurve dhe shkelje të tjera të mundshme të ligjeve të konfliktit të armatosur.
“Dëshiroj gjithashtu të theksoj se sot kemi një problem tjetër që po rritet, problemi i përshkallëzimit të luftës, përshkallëzimi i urrejtjes, përshkallëzimi i shkeljeve të zakoneve dhe rregullave të luftës, jo vetëm në fushën e betejës”, tha Podolyak.
Para fillimit të këtyre negociatave Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se patjetër duhet të arrihet armëpushim./Shqip.com