Mehaj: Ushtria e Kosovës do të ofrojë siguri për qytetarët

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka thënë se Ushtria e Kosovës do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët.

Përmes një postimi në Twitter, Mehaj ka thënë se dënon veprimet e pjesëtarëve të komunitetit serb të cilat po ndikojnë në destabilizimin e Kosovës.

“Ushtria e Republikës së Kosovës do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Ne dënojmë veprimet e komunitetit serb për të destabilizuar vendin tonë! dhe institucionet e saj janë në shërbim të çdo qytetari”, shkroi Mehaj.

Tutje, Mehaj tha se veprimet e tyre janë në koordinim më Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën kërkuar nga Kosova shtyrje të afatit për targa, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.

Të njëjtën linjë me SHBA-në qëndron edhe Bashkimi Evropian. Ata e quajnë legjitim vendimin për targa, por thonë se kjo duhet të  bëhej brenda një periudhe kohore prej 12 muajsh.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen në veri të Kosovës. Qeveria ka pezulluar drejtorin e Policisë Rajonale në Veri, Nenad Gjuriq, për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme, kësaj iu janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.