Kina do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën
Kryqi i Kuq i Kinës do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën, tha ministri i Jashtëm Wang Yi, teksa përsëriti thirrjen për vazhdimin e bisedimeve diplomatike, shkruan CNN.
Ai theksoi se miqësia e Kinës me Rusinë është “e fortë” dhe perspektivat për bashkëpunim janë shumë të gjera.
Fjalët e Yi vijnë disa orë pasi, Kryeministri i Australisë, Scott Morrison i kërkoi Kinës të denoncojë Rusinë.
Në një fjalim të gjatë për politikën e jashtme në Sydney , Morrison tha se Kina ka folur vazhdimisht për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.
“I takon Kinës, në këtë pikë kyçe të historisë, të tregojë se këto janë më shumë se vetëm fjalë”, tha Morrison, duke shtuar se “asnjë vend nuk do të kishte një ndikim më të madh në Rusi sesa Kina”.
Deri më tani, qeveria e Kinës as nuk e ka dënuar dhe as e ka falur luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe madje është përmbajtur duke e quajtur atë një “pushtim” në radhë të parë.