Hungaria nuk do të bllokojë sanksionet kundër Rusisë, duke përfshirë edhe SWIFT

SWIFT

Hungaria nuk do të bllokojë asnjë sanksion kundër Rusisë, përfshirë sistemin global të pagesave SWIFT , tha të shtunën në një deklaratë Ministri i Jashtëm Péter Szijjártó.

Szijjártó iu përgjigj pretendimeve të fundit se Hungaria do të kundërshtonte sanksionet kundër Kremlinit për pushtimin e Ukrainës. 

“Jam i pikëlluar dhe i tronditur kur shoh se disa përfaqësues të politikës ndërkombëtare dhe shtypit ndërkombëtar guxojnë të fabrikojnë lajme të rreme dhe gënjeshtra”, tha Szijjártó në deklaratë, duke konfirmuar se Hungaria “asnjëherë nuk ka bllokuar asnjë propozim sanksionesh”.

Bashkimi Evropian njoftoi të premten sanksione të reja kundër Rusisë, raporton CNN.

Blloku ka miratuar paketën “më të fortë” të sanksioneve ndonjëherë kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës, tha të shtunën në Twitter zëvendës-zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Dana Spinant./Shqip.com