Hill kërkon kthimin e serbëve në institucione dhe formimin e Asociacionit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill ka kërkuar serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës si dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Siç raporton N1, Hill tha se dështimi i Kosovës për të formuar Asociacionin dëmton reputacionin dhe besueshmërinë e saj.

“Kjo do të thotë gjithashtu të nisë menjëherë negociatat mbi krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, që është një detyrim ligjor detyrues për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë angazhim dëmton parimin e shtetit të së drejtës dhe dëmton reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës,” tha Hill.

Tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës, Hill tha se qon në përshkallëzim të situatës në terren.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është një zgjidhje për mosmarrëveshjet e tanishme dhe ka potencialin të përshkallëzojë më tej tensionet në terren. Shtetet e Bashkuara kësisoj bashkohet me BE në thirrjen ndaj përfaqësuesve serbë të Serbisë dhe Kosovës për të respektuar angazhimet e tyre në kuadrin e dialogut dhe për t’u kthyer në institucionet e Kosovës në detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”.

Hill kërkoi nga Serbia dhe Kosova që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet e tyre që qojnë në dhunë dhe konfrontim.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE për të vazhduar të ndërmjetësojnë negociatat. Të dy palët duhet të tregojnë se janë gati të kërkojnë zgjidhje në një mënyrë konstruktive dhe të respektojnë angazhimet e bëra në dialogun e lehtësuar nga BE”.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që deri me 21 nëntor të bëjë qortimin ndaj shoferëve të cilët vozisin automjete me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë e që cilësohen ilegale në Kosovë.

Pas datës 21 për të vazhduar deri me 21 janar është masa për shqiptimin e gjobave ndaj këtyre shoferëve. Për dy muaj të tjerë do të ketë tabela testuese si dhe lehtësira në regjistrim deri me 21 mars por, pas kësaj date nuk do të ketë më lehtësira.

Data 21 prill e vitit të ardhshme shënon afatin e fundit që lejon qarkullimin e automjeteve me targa ilegale Brenda territorit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën kërkuar nga Kosova shtyrje të afatit për targa por kjo kërkesë nuk u merr parasysh.

Të njëjtën linjë me SHBA-në qëndron edhe Bashkimi Evropian – Ata e quajnë legjitim vendimin për targa por thonë se kjo duhet të  bëhej Brenda një periudhe kohore prej 12 muajsh.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen në veri të Kosovës – Qeveria ka pezulluar drejtorin e Policisë Rajonale në Veri Nenad Gjuriq për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme kësaj ju janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.