Haradinaj: Serbia dëshiron dështimin e planit franko-gjerman, po i ndihmon Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Serbia ka për qëllim dështimin e planit franko-gjerman.

Përmes një konference për media, Haradinaj tha se këtij skenari është duke i ndihmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Serbia, sponsoret e Serbisë, satelitët e Serbisë, skenarë e kanë dështimin e marrëveshjes tashmë të njohur plani franko-gjerman që në përmbajtje e ka njohjen e Kosovës nga Serbia. Në këtë skenarë për fat të keq është kyqur dhe po e ndihmon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”.

Plani franko-gjerman sipas Haradinajt ka në qendër njohjen reciproke me të cilën nuk u pajtua Serbia.

“Në tetor, në Prishtinë dhe Beograd ka ardh propozim marrëveshja që në përmbajtje ka njohjen reciproke Kosovë-Serbi. Përgjigjja e Kosovës nuk ka qenë e qartë por reagimi i Serbisë ishte mospajtim me këtë marrëveshje. Në fillim të nëntorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur me e zbatu vendimin për targat në veri.Aleati ynë më besnik dhe më i sigurtë, Amerika duke e ditë skenarin e Serbisë që ka për qëllim dështimin e marrëveshjes, pra dështimin e dialogut dhe zhvillimet destabilizuese në veri i ka kërku Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit të Kosovës me e pezullu këtë vendim deri në marrëveshje”.

Sipas Haradinajt, Kurti ka vendosur që të mos ecë rrugës që ka kërku Amerika.

“Albin Kurti me demagogët e vet në Qeveri dhe jashtë saj ka vendos që mos me ecë rrugës që ja kërkon Amerika por me shku një rruge që është e paqartë dhe me vazhdu me vendimin e vetë për targa”.

Sot kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre dhjetë nga njëmbëdhjetë anëtarët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Sipas kryekuvendarit të Kosovës, Glauk Konjufca kjo çështje po ashtu ndërlidhet me këtë plan.

“Mendoj që përpjekja e Vuçiqit ka filluar ditën e djeshme vetëm për një arsyeje. Arsyeja e vërtetë e orkestrimit të krejt këtyre akteve është me e mbulu atë që ka qenë thelbësore në ditën e djeshme. Thelbësore në ditën e djeshme është që Serbia dje zyrtarisht e ka refuzuar planin franko-gjerman. Unë mendoj që Serbia të gjitha këto po i orkestron për të filluar një fazë të re politike në Kosovë”, tha Konjufca.

Konjufca tha se situata e sigurisë në Kosovë është në kontroll.