Gruja e vrarë pritet të varroset të premten, familja hap dyert për ngushëllime

Gruja që u vra mbrëmjen e djeshme në oborrin e QKUK-së pritet që varroset ditën e premte duke filluar ora 13:00.

Por gjatë ditës së sotme, familjarë, miq e të afërm, u panë teksa po hynë në oborrin e kësaj familje për të shprehur ngushëllime.

Ibush Syla nip i familjes Magashi thotë se familja e të ndjerës është duke e përjetuar rëndë rastin.

““Jam nip i tyre, rastin e kemi përjetuar rëndë. Më rëndë më nuk ka, dy vrasje janë bërë aty. Kufomën ende nuk e kanë sjellë, janë duke i prit edhe disa familjarë nga Gjermani, dhe nesër besoj se do të varroset e ndjera”, tha ai.

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e personit që dyshohet se vrau 35 vjeçaren në QKUK.

Sipas raportimeve, vetura është gjetur në Shtime në parkun “Ahmet Shtimja”.

Sipas njoftimit nga Gjykata më datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhërit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje.

I dyshuari, përkatësisht ish-bashkëshorti i saj, ishte denoncuar edhe për dhunë në familje më herët. I njëjti ndodhet ende në arrati.

Sot në Prishtinë, pritet të organizohet protestë nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe nis nga ora 16:00.

Protesta organizohet në “Sheshin Zahir Pajaziti”.