Borrell: Nuk e tolerojmë sulmin ndaj EULEX-it, barrikadat duhet të hiqen

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë që nuk do ta tolerojnë sulmin ndaj  patrullës së EULEX-it në veri  të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë të cilat janë vendosur nga serbët e Kosovës.

“Bashkimi Evropian nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it, ose përdorimin e veprave të dhunshme dhe kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të rivendoset. EULEX do të vazhdojë të koordinojë autoritetet e Kosovës dhe KFOR-it.

Tutje, Borrell tha se duhet të shmangën përshkallëzimet.

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.

EULEX-i për Shqip.com tha se nuk ka të lënduar por vetëm janë shkaktuar dëme materiale.

Gjatë ditës së djeshme, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.