Lajme

Lista Serbe thotë se dëshiron ta rrëzojë Kurtin: Punon kundër interesave të popullit serb

Kryeministri Albin Kurti dhe Lista Serbe

Lista Serbe përmes një komunikate për media, thonë se dëshirojnë ta rrëzojnë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kjo parti tha se qeveria e udhëhequr nga Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, thuhet në njoftim.

Reagimet e Listës Serbe vijnë një ditë pas deklaratave të bëra nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës deklaroi më 2 gusht se Lista Serbe është e “devalvuar politikisht” dhe tha se në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi tha se ajo bashkëpunon me grupe kriminale.

Zyrtarët e Listës Serbe

Sveçla, po ashtu tha se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq, nuk gjendet në veri të Kosovës.

Ai tha se Radojiçiqi në fillim të korrikut ka incizuar një video në veri të Kosovës dhe më pas ka dalë nga territori i shtetit.

Theksojmë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka koalicion qeverisës me Listën Serbe. Madje, nuk e ka votuar qeverinë e Kurtit, në seancën e mbajtur më 22 mars të vitit 2021

Sipas Kushtetutës, kjo parti për shkak se i përket komunitetit joshumicë merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim./Shqip.com