Lajme

Lista Serbe reagon pas konferencës së ministrit Sveçla

Lista Serbe

Lista Serbe përmes një njoftimi i kanë reaguar ministrit të Punëve të Brendshme, i cili foli për gjendjen në veri, heqjen e barrikadave dhe për Milan Radojçiq, për të cilin tha se herët a vonë, ai do të bie në duart e Policisë së Kosovës.

Në reagimin e Listës Serbe thuhet se Sveçla ka drejtuar akuza të pavërteta ndaj Radoiçiq.

“Pasi, falë vizitave të tij në veri të Kosovës dhe tërbimit të forcave të tij speciale, ai bëri që situata në terren të nxehet, dhe detyroi popullin serb të mbrohet në barrikada, vazhdon me akuza false ndaj serbëve, e veçanërisht ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje, në njoftimin e tyre, thuhet se ‘kërcënimet e Sveçlës nuk mund ta trembin Radoiçiq’ e as serbët prapa barrikadave.

“Kërcënimet që Sveçla i frikësuar i dërgon Radojçiq janë qesharake dhe nuk do ta trembin atë dhe asnjë serb në barrikada. Si dje dhe sot Radoiçiq është me popullin e tij dhe nuk do të ketë akuza të rreme, gjyqe të organizuara dhe kërcënime”, theksohet në njoftimin e kësaj partie.

Lexo edhe:
Sveçla flet sërish për barrikadat: Nëse KFOR-i s’mundet, do t’i heqim ne

Kujtojmë se, në orët e mbrëmjes ministri Sveçla deklaroi se janë duke e pritur KFOR-in për t’i hequr barrikadat, përndryshe do të veprojnë edhe vet, në rast se njoftohet se KFOR-i nuk mund ta bëjë një veprim të tillë.


/Shqip.com