Lajme

Lista e Pavarur “Bekim Jashari” paralajmëron padi ndaj Betim Gjoshit të PDK-së për shpifje

Bekim Jashari

Lista e Pavarur “Bekim Jashari” ka kërkuar nga zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, që të tërheq deklaratat ndaj kandidatit të tyre për kryetar të Skënderajt, Bekim Jashari, ose në të kundërtën do të bëjnë padi për shpifje, përcjell Shqip.com.

Përmes një reagimi, Lista ka dënuar ashpër këto deklarata duke thënë se familja Jashari e kishte përkrahur maksimalisht, Bekim Jasharin në kandidaturën për kryetar komune.

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi

“Kjo është deklaratë e rëndë kundër një anëtari të familjes Jashari dhe për këtë ne kërkojmë nga z. Gjoshi që ta tërheq këtë deklaratë dhe të kërkojë falje publike, ndryshe jemi të detyruar që të shfrytëzojmë të drejtën tonë ligjore kundër shpifjeve.

Për informimin e z. Gjoshi, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari kishte përkrahjen maksimale nga familja Jashari dhe kjo dëshmohet nga prezenca e tyre fizike në takimet e fushatës parazgjedhore”, thuhet ndër tjerash në reagim.

Lexo edhe:
PZAP hedh poshtë kërkesën e Bekim Jasharit, nuk do të ketë rinumërim të votave

Tutje, përmes reagimit, nga kjo Listë kanë thënë se “shpifjet, manipulimet, dhe blerja e votave nga PDK”, sollën rezultatin ku Bekim Jashari nuk arriti të fitojë zgjedhjet lokale.

 “Z. Gjoshi, kryetarin e Skenderajt z. Bekim Jashari nuk e ka dënuar qytetari por ishin shpifjet e juaja, manipulimet dhe blerja e votave të qytetarëve nga ana juaj ato që sollën këtë rezultat me të cilin nuk duhet të krenoheni asnjëherë sepse qytetaret e dijnë së si ka ardhur ky rezultat”, reagon tutje Lista.

Në fund, Lista e Pavarur “Bekim Jashari” ka kërkuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, që të distancohet nga deklaratat “fyese dhe të pavërteta të personit në fjalë”.

Ndryshe, Gjoshi i PDK-së në një studio televizive duke folur për kandidaturën e tij, kishte deklaruar se i vetmi që ka qenë kundër familjes Jashari ishte Bekim Jashari./SHQIP.com