Lajme

PZAP hedh poshtë kërkesën e Bekim Jasharit, nuk do të ketë rinumërim të votave

Bekim Jashari

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Skënderajt, Bekim Jashari, i cili kishte kërkuar që të rinumërohen fletëvotimet në disa vendvotime, përcjell Shqip.com.

Përmes vendimit, PZAP ka theksuar se pretendimet e kandidatit janë të paqëndrueshme dhe se nga hetimi paraprak, në këto vendvotime nuk ka pasur ndonjë fletëvotim të pavulosur – siç është pretenduar.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa

“Refuzohet e pabazuar pjesa e apelit A.nr.724/2021 e datës 29.10.2021, e parashtruar nga Lista e Pavarur-Bekim Jashari me seli në Skenderaj, me të cilën ka kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen vendvotimet 2122b/01D dhe 2101 X/01R, si shkak i parregullsive gjatë procesit të votimit, për zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës të mbajtura me datën 17.10.2021”, thuhet ndër tjerash në vendimin e PZAP-it.

Ndryshe, më 29 tetor, Lista e Pavarur “Bekim Jashari” kishte bërë ankesë në PZAP duke pretenduar se në ditën e votimit më 17 tetor 2021, nga vëzhguesit e tyre janë identifikuar fletëvotime të pavulosura në disa vendvotime.

Kjo Listë kishte kërkuar që duke u bazuar në këto fletëvotime, të bëhet rinumërimi i këtyre votave në këto kuti të votimeve dhe të verifikohet saktësia e fletëvotimeve./SHQIP.com