Lirohen katër tifozët shqiptarë të arrestuar në Poloni

Një grup prej 420 persona udhëtuan kilometra për të parë Shqipërinë në ndeshjen me Poloninë në Varshavë, por një situatë e tensionuar para këtij dueli bëri që policia vendase të arrestonte 4 prej anëtëve të tifogrupit “Tifozat Kuqezi”.
Menjëherë tifozët kërkuan mbështetjen e shtetit shqiptar për lirimin e tyre.
Pas thirrjes së tifogrupit besnik të Kombëtares shqiptare “Tifozat Kuqezi” ka ardhur edhe lirimi i pjestarëve që u arrestuan.
Arrestimi i tifozëve u bë për shkak se disa prej tyre tentuan të fusnin në stadium mjete piroteknike, por tashmë ata janë liruar.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë tifogrupi “Tifozat Kuqezi” nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Djemtë tanë u liruan. Falenderim e mirënjohje Ambasadës Shqiptare në Poloni për reagimin e menjëhershëm dhe mbështetjen e dhënë për lirimin e 4 anëtarëve të arrestuar padrejtësisht në Varshavë”, ka shkruar tifogrupi besnik i Kombëtares së Shqipërisë.
/Shqip.com