Lajme IKSHPK nuk ka dhënë informacione nëse Kosova ka teste të tilla për të testuar rastet e dyshimta.

“Lija e majmunëve” alarmon Evropën – IKSHPK thotë se nuk ka asnjë rast në Kosovë

Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani

Evropa dhe SHBA kanë filluar që të alarmohen nga virusi i quajtur ‘lija e majmunëve’ që tashmë ka përfshirë një pjesë të shteteve.

Por, në Kosovë ende nuk ka pasur ndonjë rast të dyshimta.

Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani në një prononcim për SHQIOP.com, i cili tha se asnjë person nuk është testuar deri më tani.

“Jo nuk ka ndonjë rrezik, asnjë person nuk është testuar. Raste të dyshimta nuk ka’’.

I pyetur se a posedon Kosova teste të tilla për testim të këtij virusi, ai ka refuzuar që të flasë më tepër.

Ndryshe, lija e majmunit është një virus që shkakton simptoma të etheve, si dhe shfaq gunga në trup.

Zakonisht është i butë, megjithëse ka dy lloje kryesore: lloji i Kongos, i cili ka një shkallë vdekshmërie deri në 10 për qind dhe i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë vdekshmërie prej një për qind.

Lexo edhe:
Lija e majmunëve përhapet nëpër Evropë dhe SHBA, OBSH në alarm

Virusi përhapet nga kontakti i ngushtë, si nga kafshët ashtu edhe nga njerëzit.

Ajo u gjet për herë të parë te majmunët në vitin 1958, prandaj u emërtua “linja e majmunit”, megjithëse brejtësit konsiderohen tani si bartësit kryesorë./SHQIP.com