Lajme Botë

Lija e majmunëve përhapet nëpër Evropë dhe SHBA, OBSH në alarm

Lija e majmunit

Autoritetet shëndetësore në disa shtete të botës janë në alarm pasi një sëmundje e rrallë virale e raportuar për herë të parë në Republikën Demokratike të Kongos në vitet 1970, shfaqi raste të reja në Evropë dhe SHBA.

Këto të fundit tashmë kanë konfirmuar rastet e para.

Portugalia tha të mërkurën se kishte identifikuar pesë raste të lisë së majmunëve, Spanja po ashtu deklaroi se po testonte 23 raste të mundshme dhe shteti amerikan i Massachusetts njoftoi se kishte gjetur një rast në një burrë që së fundmi udhëtoi në Kanada.

Mbretëria e Bashkuar ishte e para që konfirmoi një rast të lisë së majmunëve në fillim të këtij muaji. Ajo tani ka zbuluar shtatë raste dhe po punon me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të hetuar përhapjen e virusit pasi nuk ishte në gjendje të bënte një lidhje midis rastit fillestar, në një burrë që kishte udhëtuar nga Nigeria, dhe atyre më të fundit.

Autoritetet shëndetësore dyshojnë se disa nga infeksionet mund të kenë ndodhur përmes kontaktit seksual – në këtë rast midis meshkujve homoseksualë ose biseksualë – me katër nga rastet në Mbretërinë e Bashkuar të identifikuara midis njerëzve që vizituan klinikat e shëndetit seksual pas shfaqjes së skuqjes së lidhur me linë e majmunëve.

Sipas Agjencisë suedeze të Shëndetit Publik, një person është i infektuar në zonën e gjerë të Stokholmit.

“Personi i infektuar me virusin në Suedi nuk është i sëmurë rëndë, por po merr trajtim”, tha në një deklaratë ekspertja e sëmundjeve infective, Klara Sonden.

“Ne nuk e dimë ende se ku është infektuar personi. Hetimet për këtë po vazhdojnë”, shtoi ajo.

Infeksioni i parë i lisë së majmunit është zbuluar edhe në Itali.

Shefi i shëndetësisë në rajonin e Lazios, Alessio D’Amato, tha në Facebook se rasti ishte konfirmuar në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive të Italisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), tashmë e fokusuar te pandemia e koronavirusit që ka goditur botën gjatë tre viteve të fundit, ka bërë thirrje për gjurmim të vrullshëm të kontakteve të numrit të rasteve./SHQIP.com