Lajme

Lëvizja Vetëvendosje suspendon asamblistin Berat Lahu, i arrestuar për rastin “Brezovica”

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim që të suspendojë asamblistin Berat Lahu.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Shqip.com, Arlind Manxhuka – zëdhënës për media nga ky subjekt.

“Jemi njoftuar me vendimet dhe pretendimet e organeve të drejtësisë për anëtarin tonë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Këto lidhen me angazhimin e tij të mëhershëm në sektorin privat në Keds gjatë viteve 2016-18 dhe nuk kanë lidhje as me angazhimin e tij aktual as me ndonjë përgjegjësi publike në kuptimin e postit publik. Deri në zbardhjen përfundimtare të këtyre pretendimeve dhe verdiktit në procesin gjyqësor që do të kryhet anëtarit Berat Lahu i suspendohet anëtarësia në subjektin tonë, vendim ky i marrë nga organet tona të brendshme përgjegjëse”, ka thënë Manxhuka për Shqip.com

Gjatë ditës së sotme, Gjykata Themelore në Ferizaj ka marr vendim ndaj shtatë të dyshuarve për rastin “Brezovica”, e në mesin e tyre është edhe Berat Lahu.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Personat e arrestuar dyshohen për fajde, dhënje rryshfeti dhe ushtrim i ndikimit.

Në kuadër të kësaj është raportuar se në këtë rast kanë mbetur të bllokuara 6 milionë euro të cilat janë të të akuzuarve si dhe familjarëve të tyre të cilët dyshohen se kanë përfituar nga ryshfeti./Shqip.com