Lajme

Lëshohet viza e parë nga Ambasada e Kosovës në Bangladesh

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka njoftuar se janë vendosur shërbimet konsullore në Ambasadën e Kosovës në Bangladesh.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se është lëshuar edhe viza e parë nga Ambasada e Kosovës në Dhaka.

“Në pritjen e organizuar nga Ambasada, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga institucionet vendore, shoqëria civile dhe ambasadorë të vendeve të tjera, vizën e parë e pranoi znj. Meliha Iqbal, aktiviste e shoqërisë civile, e cila do të jetë pjesëmarrëse në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, shkroi Ahmeti.

Bangladeshi heq regjimin e vizave për zyrtarët shtetërorë – SHQIP.com

Gjatë ditës së djeshme, Ahmeti përmes rrjetit Facebook ka njoftuar se Bangladeshi dhe Kosova kanë hequr vizat për zyrtarët shtetërorë.

Sipas Ahmetit kjo u bë pas takimit të zhvilluar me Sekretarin e Lartë për Punë të Jashmte të Bangladeshit, Masud Bin Momen.


“Sot, së bashku me z. Masud Bin Momen, Sekretari i Lartë për Punë të Jashtme, zhvilluam konsultimet politike në mes të dy Ministrive tona të Jashtme. E njoftova delegacionin bengal për arritjet e Republikës së Kosovës dhe planet për të ardhmen. Poashtu, përgëzova arritjet dhe progresin e shtetit të Bangladeshit”, ka shkruar Ahmeti.

Tutje zëvendësministri i Punëve të Jashtme, ka shkruar se në takim u diskutua edhe për marrëveshtje tjera, si: Bashkëpunimin Kulturor, Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik, Marrëveshjen për Promovimin e Investimeve dhe Marrëveshjen për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë.

“Ndërsa, pas takimit së bashku me z.Momen nënshkruam Marrëveshjen e Heqjes Reciproke të Vizave për Bartësit e Pasaportave Diplomatike dhe Zyrtare”, përfundon shkrimin e tij zëvendësministri Ahmetit.

Kujtojmë se Bangladeshi në të kaluarën ka ofruar fuqi punëtorë për Kosovën. Ndërsa pavarësinë e Kosovës e ka njohur në vitin 2017.

/Shqip.com