Lajme

LDK e pavendosur nëse do të marrë pjesë në seancën për referendumin

Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet të shtunën në Kuvend për referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se deputetët e kësaj partie do të mblidhen para seancës dhe do të diskutojnë për këtë çështje.

“Ditën e nesërme, do të mblidhet grupi parlamentar i LDK-së dhe do të vendosim dhe merret vesh qëndrimi i LDK-së”, ka thënë Gashi për Klan Kosovën.

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në konferencë për media të premten mbrëma, ka thënë se kjo parti e sheh të panevojshme mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.

“Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi që Qeveria e ka shtyrë përpara dhe mendojmë se kjo nuk ka nevojë të prodhojë debat të mëtutjeshëm. Prandaj e kundërshtojmë mbajtjen e kësaj seance”, është shprehur Tahiri para gazetarëve.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar se do të marrë pjesë në seancë.

“Po, do të marrim pjesë”, ka thënë shkurtimisht zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, për Shqip.com.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, të shtunën e 15 janarit do të mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvend për të diskutuar për çështjen e referendumit serb në Kosovë.

Në këtë seancë pritet të nxirret një rezolutë e përbashkët e deputetëve lidhur me referendumin.

Seanca pritet të mbahet duke filluar nga ora 14:00.

“Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, njoftoi Qeveria të premten./SHQIP.com