Lajme

AAK do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme për referendumin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet të shtunën në Kuvend për referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka.

“Po, do të marrim pjesë”, ka thënë shkurtimisht ai.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në konferencë për media të premten mbrëma, ka thënë se kjo parti e sheh të panevojshme mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.

“Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi që Qeveria e ka shtyrë përpara dhe mendojmë se kjo nuk ka nevojë të prodhojë debat të mëtutjeshëm. Prandaj e kundërshtojmë mbajtjen e kësaj seance”, është shprehur Tahiri para gazetarëve.

Ai ka thënë se me thirrjen e kësaj seance, “Qeveria po mundohet ta shmangë përgjegjësinë e vet”.

“I bëjmë me dije kryeministrit se zbatimi i ligjeve dhe vendimeve që rrjedhin nga ligjet, është përgjegjësi e Qeverisë dhe jo Kuvendit”.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, të shtunën e 15 janarit do të mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvend për të diskutuar për çështjen e referendumit serb në Kosovë.

Në këtë seancë pritet të nxirret një rezolutë e përbashkët e deputetëve lidhur me referendumin.

Seanca pritet të mbahet duke filluar nga ora 14:00.

“Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, njoftoi Qeveria të premten./SHQIP.com