Lajme

Rifat Latifi, ministër i ri i Shëndetësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Rifat Latifin – ministër të ri të Shëndetësisë.

Kurti lajmin e ka bërë të ditur të martën përmes një konference për media.

“Unë si kryeministër posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të shëndetësisë. Ministër do të jetë doktor Rifat Latifi”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media

Në fjalën e tij, Latifi tha se do të angazhohet në ngritjen afatgjate të shëndetësisë në Kosovë.

Premtoi se do të parandaloj largimin e mjekëve nga Kosova.

“Ky proces do të ketë rëndësi të mëdha për Kosovën. Do ta ndërpresim largimin e trurit mjekësor dhe shkencorë të Kosovës në vende tjera. Nëse ne e rregullojmë shtëpinë tonë do të bëjmë të mundur kthimin e trurit të larguar deri më tash”, tha Latifi.

Kirurgu Rifat Latifi vepron dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Latifi është shef i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester në New York, profesor në Universitetin e Arizonës, anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, kryetar themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që nga dhjetori i vitit 2018.

Në vitin 2009, Latifi ishte emëruar këshilltar për shëndetësi nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi./SHQIP.com