Kulturë

Lasgush Poradeci, liriku i letërsisë shqiptare

Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, u lind në Pogradec më 27 dhjetor 1899. Veprimtaria e tij krijuese e cek atë si poet, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte.

Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë.

Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë shqiptare, jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Ai është nga lirikët më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Më 12 nëntor 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari, e cila kishte fituar zemrën e cila kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës shqiptare si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare.

Poezi nga Lasgush Poradeci

MALLI

Syri i bukur qe t’u mvrenjt
Syri yt qe me lendon
Do me lere a von a shpejt,
Do me lere a shpejt a von.

Sapo shpirti m’u delir
Shpirti im i nxire krejt
Do me lere me pahir
Syri i bukur qe t’u mvrenjt

E do mbetem pernjemend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbreteresha qe me cmend
Do me lere a shpejt a von

Do me lere a von a shpejt,
Do me lere a shpejt a von,
Syri i bukur qe t’u mvrenjt
Syri yt qe me lendon.

Do me lere…A! por si
Qofte ahere ose tani
Do te qaj aq dashuri
Qe do humb me mall te ti?

Mua mendja s’m’a kupton,
Mua syri s’ma veshtron,
Po fillon edhe vajton,
E kullon, kullon, kullon:

Mall! o mall! qe vjen e shkon!

Vjen e shkon e prape vjen,
Mall qe len nga perendon:
Len e vjen e zjen e bren:
Malli mallin me s’e gjen…