Largohen barrikadat në Mitrovicë të Veriut dhe Rudarë
![](https://shqip.com/app/uploads/2021/10/bllokadat.webp)
Rruga që lidhë Prishtinën me Rashkën, konkretisht në Rudarë, Komuna e Zveçanit, si dhe ajo në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, tashmë janë të lira për qarkullim.
Bllokadat e vendosura në këto rrugë nga serbët lokalë, janë tërhequr në orët e mbrëmjes të së mërkurës.
Këto bllokada janë vendosur në shenjë pakënaqësie ndaj aksionit të Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave.
![](https://shqip.com/app/uploads/2021/10/barrikadat1.png)
Policia e Kosovës ka thënë se në këtë aksion janë sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.
Gjatë këtij aksioni janë arrestuar tetë persona të dyshuar për kontrabandim me mallra dhe 10 të tjerë janë shpallur në kërkim policor.
Derisa 10 zyrtarë policorë, shtatë prej tyre shqiptarë dhe tre serbë, kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme drejt policisë.
Në aksionin e zhvilluar në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Veriut si dhe në Zveçan janë bastisur 26 lokacione. /Shqip.com