Lajme

Ambasada e Amerikës: Sulmet ndaj autoriteteve, mediave e qytetarëve në veri – të papranueshme

Ambasada e Amerikës në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka cilësuar shqetësuese atë që ndodhi në veri të Mitrovicës pas aksionit që Policia e Kosovës ka zhvilluar të mërkurën në këtë zonë dhe disa qytete të tjera të Kosovës për luftimin e kontrabandës, transmeton Shqip.com.

Nga kjo ambasadë e cilësojnë të papranueshme dhunën ndaj autoriteteve, mediave dhe qytetarëve.

“SHBA është e shqetësuar nga përgjigja që iu dha sot aksioneve për zbatimin e ligjit të Kosovës në territorin e Kosovës. E gjithë dhuna e drejtuar qoftë ndaj autoriteteve, mediave ose qytetarëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht deri në zbatimin e plotë të ligjit. Bëjmë thirrje për qetësi”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ambasade, Eric Brassil për ‘Klan Kosovën’.

Gazetarët duke raportuar për situatën në veri

Gjatë këtij aksioni janë arrestuar tetë persona të dyshuar për kontrabandim me mallra dhe 10 të tjerë janë shpallur në kërkim policor.

Derisa 10 zyrtarë policorë, shtatë prej tyre shqiptarë dhe tre serbë, kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme drejt policisë.

Në aksionin e zhvilluar në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Veriut si dhe në Zveçan janë bastisur 26 lokacione. /Shqip.com