Lajme

Lajçak pas takimit me Bislimin: Përshkallëzimi është i papranueshëm

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Dialog, Besnik Bislimi, gjatë ditës ka qëndruar në Bruksel, ku është takuar me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak.

Ky i fundit përmes Twitterit ka treguar se në takim me Bislimin është diskutuar për zgjidhjen urgjente të problemit të krijuar rreth çështjes së targave.

“Sot disutuam për krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në veçanti çështjen e targave”, ka shkruar Lajcak në Twitter.

Tutje, emisari i BE-së shkruan se garantimi i sigurisë është nevojë e kohës dhe përshkallëzimi i situatës është i papranueshëm.

“Ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në terren. Çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”, ka theksuar Lajcak.

Bislimi po qëndron në Bruksel me ftesën e emisarit Lajcak, për të diskutuar e gjetur zgjidhjen e pranueshme që të evitohet tensionimi i mëtejmë në veri të Kosovës.

/Shqip.com