Lajme

Lajçak me këshilltarin e Schlozit dhe atë të Macronit do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak së bashku me këshilltarin e kancelarit gjerman dhe presidentit francez do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin me 9 shtator.

Për REL, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëllimi i vizitës është përparimi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllim i vizitës është të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”, tha Stano.

Stano ka treguar se takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçqiq janë planifikuar të bëhën ndaras.

“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Serbisë, Vuçiq”.

Schloz dhe Macron i shkruajnë Kurtit, kërkojnë që këshilltarët e tyre të vizitojnë Kosovën bashkë me Lajçakun – SHQIP.com

Dje, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në letër thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale. Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruhet në letër.

Megjithatë, në letër thuhet se ata kanë ngarkuar me punë këshilltarët e tyre të politikës së jashtme dhe sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij.

“Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij”.

Në këtë letër, Schloz dhe Macron kanë propozuar që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Lajçakun në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara dhe shpejt.

Duke folur për REL-in, Stano tha se BE “dëshiron të bëjë sa më shumë që mundet për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë kompromiset e nevojshme dhe që të çojnë dialogun drejt fundit”.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.

Pas angazhimeve të tyre diplomatike, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse nga të dyja anët./Shqip.com