Lajme

Schloz dhe Macron i shkruajnë Kurtit, kërkojnë që këshilltarët e tyre të vizitojnë Kosovën bashkë me Lajçakun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në letër thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale. Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruhet në letër.

Megjithatë, në letër thuhet se ata kanë ngarkuar me punë këshilltarët e tyre të politikës së jashtme dhe sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij.

“Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij”.

Në këtë letër, Schloz dhe Macron kanë propozuar që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Lajçakun në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara dhe shpejt.

Tutje, thuhet se ata shpresojnë që kjo iniciativë të ketë përkrahjen e Kurtit.