Lajme

Lajçak flet pas takimit me Kurtin

Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka komentuar takimin që kishte sot me kryeministrin Albin Kurti, ku tha se është duke u bërë progres në bisedime.

“Nuk do të jap detaje, por takimi me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm dhe ne jemi duke bërë progres në bisedimet tona. Kjo ndoshta ajo çka mund të them”.

Ai tha se një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, është në dorën e të dy vendeve.

Ndërkaq për draftin për asociacionin është informuar nga mediat kosovare dhe se BE-ja nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.

“Kam mësuar për këtë letër (draftin për asociacionin) nga mediet e juaja, por nuk kam qenë i informuar më herët për të dhe nuk është shpërndarë me ne. Por, ne nuk i themi askujt ta bëjë këtë dhe e shohim si të gjitha letrat që prodhohen”, është shprehur ai.

Emisari u pyet edhe për kërkesën që BE dhe SHBA i kanë bërë Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e targave.

“E diskutuam këtë çështje dhe sigurisht është vendim i kryeministrit. Unë s’do të komentoj në këtë çështje. Nuk do të flas shumë në këtë çështje”.

Lexo edhe:
BE s’tregon datë për takimin e radhës Kurti-Vuçiq

Ndryshe, Bashkimi Evropian ka refuzuar të jap detaje nëse është duke punuar për organizimi të një takimi të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të dialogut nëse dhe kur është e nevojshme”, kanë thënë shkurt për Shqip.com, nga zyra për media e Bashkimit Evropian.

Edhe ekzekutivi i vendit ka heshur rreth kësaj çështje.

Zyra e Kryeministrit nuk i është përgjigjur pyetjeve të Shqip.com, rreth kësaj çështje.

Pak kohë më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se liderët e dy vendeve mund të kenë një takim gjatë tetorit.

/Shqip.com