Lajme

Kuvendi miratoi disa projektligje duke përfshirë edhe projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa projektligje të rëndësishme të enjten. Kuvendi ka miratuar projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit.  Projektligji është votuar nga 64 deputetë ndërsa asnjë nuk ishte kundër.

Kuvendi ka miratuar edhe ligjin për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale. 

Në parim është miratuar edhe projektligji për pronën publike.

Në fillim të seancës kishte batuta ndërmjet kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe shefit të grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Tahiri ende pa nisur seanca e Kuvendit të Kosovës ka vendosur disa pankarta me mbishkrimin “Ku është Ligji i Pagave” te ulësja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si dhe te foltorja.

Kryetari i Kuvendit reagoi duke e pyetur Tahirin se nga është inspiruar për këto aksione. Komenti i Konjufcës u përcoll me të qeshura nga deputetët.  

Por Besnik Tahiri deklaroi se aksioni i tij ishte simbolik ngase Qeveria ishte zotuar se do të sjellin projektligjin për Paga në Kuvend me 31 mars.

“E di që nuk e kemi në agjendë ky është një aktivitet simbolik për të ngritur një çështje që e kemi ngritur gjatë dhe e cila lidhet jo me një zotim të timin por lidhet me një zotim të qeverisë Kurti të ministrit Sveçla i cili ka thënë se më datën 31 mars unë do ta procedoj ligjin e Pagave në Kuvend nga këtu i kam thënë mos u ngut, unë pyes thjesht ku është Ligji i Pagave pse po e ngirisim këtë nuk është sinkronizim me sindikata ky është një proces që e kemi nisur më 14 qershor në vitin 2021”, deklaroi Tahiri.

Pas kësaj deklarate të Tahirit, reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“31 mars është datë edhe i kanë kohë edhe nja 13 orë. I kanë kohë”, tha ai. /Shqip.com