Lajme

Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme të hënën, debatohet për rritjen e çmimit të energjisë

Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës të hënën nga ora 12:00 do të mbaj seancë të jashtëzakonshme ku do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, deklaroi se presin mbështetje edhe nga shumica parlamentare që të kundërshtojnë rritjen e tarifave të energjisë.

Lexo edhe:
PSD proteston të shtunën kundër shtrenjtimit të rrymës

“Kundërshtimi jonë i përbashkët si opozitë ndaj këtij propozimi, presim që ta ketë mbështetjen edhe të shumicës parlamentare, në mënyrë që mos të lejojmë rritjen e tarifave të energjisë për konsumatorët, të cilëve nuk duhet t’ju shtohet barra financiare edhe më shumë pas pasojave të shumëfishta që ka shkaktuar pandemia në këto dy vite”, thuhet ndër tjerash në postimin e tij në Facebook.

Ndërkaq, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar një protestë të shtunën në Prishtinë.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, të enjten u ka bërë thirrje partive opozitare që t’iu bashkëngjiten në këtë protestë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, në këtë rast “është rreshtuar me monopolin privat, pra Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS)”.

Propozimi për ndryshim të çmimit të energjisë elektrike erdhi si pasojë e mos mbulimit të kërkesës nga prodhimi i brendshëm dhe blerja me çmim të lartë në berëzën ndërkombëtare.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike për ata që shpenzojnë mbi 600 kilovat të rritet për 12.31 euro në muaj, ndërsa mbi 1000 kilovat 24.64 euro në muaj.

Vendimi pritet të merret brenda muajit janar dhe çmimet e reja të aplikohen nga 1 shkurti./SHQIP.com