Lajme

PSD proteston të shtunën kundër shtrenjtimit të rrymës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj

Partia Socialdemokrate të shtunën e 29 janarit do të protestojë në shefin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të kundërshtuar shtrejnjtimin e energjisë elektrike.

Siç ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, protesta do të mbahet duke filluar nga ora 14:00.

Ai u ka bërë thirrje edhe partive opozitare që t’i bashkohen protestës.

“Këto vendime të gabuara kanë opozitë në këtë vend. Dhe kanë opozitë të madhe. Prandaj ftojmë gjithë opozitën që të bashkohemi në protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e tij në Facebook.

Mes tjerash, ka thënë se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti në këtë rast është rreshtuar me monopolin privat, pra Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

“KEDS-it po i bën zgjidhje, kurse qytetarëve disiplinë e shtrenjtim. Si zëdhënës i KEDS-it, kryeministri po pyet ‘ku t’i marrim paratë për të paguar importin e rrymës’? Por, nuk po bën pyetje nga pozicioni i qytetarëve: ‘me çka të ngrohemi ne, nëse jo me rrymë? Ku t’i marrim paratë për ta paguar rritjen e çmimit?’”, ka shtuar tutje Molliqaj.

“Qeveria ka marrë anë. Është rreshtuar me bizneset e mëdha private. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie”.

Propozimi për ndryshim të çmimit të energjisë elektrike erdhi si pasojë e mos mbulimit të kërkesës nga prodhimi i brendshëm dhe blerja me çmim të lartë në berëzën ndërkombëtare.

ZRRE-ja ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike për ata që shpenzojnë mbi 600 kilovat të rritet për 12.31 euro në muaj, ndërsa mbi 1000 kilovat 24.64 euro në muaj.

Vendimi pritet të merret brenda muajit janar dhe çmimet e reja të aplikohen nga 1 shkurti./Shqip.com