Lajme

Kuvendi mban seancë të hënën, këto janë pikat e rendit të ditës

Kuvendi i Kosovës

Të hënën, më 13 dhjetor, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës parlamentare, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në këtë seancë do të shqyrtohen Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Kosovë, Projektligji për pijet e forta alkoolike, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturina si dhe projektligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Ndërkaq, për herë të dytë, pritet të shqyrtohet Projektligji për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Po ashtu, pikë e rendit të ditës pritet të jetë edhe shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022.

Tutje, në këtë seancë do të ketë edhe debat parlamentar lidhur me pagat në sektorin publik.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës ka shqyrtuar shkresën e presidentes, Vjosa Osmani, lidhur me adresimin e saj para deputetëve dhe kjo u vendos të bëhet më 22 dhjetor./SHQIP.com