Lajme Ballkan

Kuvendi maqedonas miraton propozimin francez

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, sot ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.

Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të abstenim. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim, raporton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë ditës së djeshme, deputetët e opozitës kishin penguar debatin lidhur me propozimin francez.

Po ashtu, një situatë e pazakontë ka ndodhur dje gjatë ditës në Parlamentin e Maqedonisë.

Në mes të dy deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka pasur përplasje fizike. Mirëpo, me ndërhyrjen e deputetëve të tjerë situata është qetësuar.

Disa ditë më parë, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Maqedonisë së Veriut, presidenti Stevo Pendarovski e cilësoi si të pranueshëm propozimin francez për heqjen e vetos bullgare.

Gjithashtu, ai nënvlerësoi pritjet se ai do të përshpejtonte ndjeshëm procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se konsultimet për propozimin vazhdojnë./Shqip.com