Lajme

Kushtetuesja ua hedh poshtë ankesat Hamitit dhe Fazliut

Gjykata Kushtetuese

Shqipdon Fazliu e Armend Hamiit kishin dërguar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Mirpo kjo ankesë e tyre është hedhur poshtë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat e bashkuara në rastet KI 57/22, parashtruar nga Shqipdon Fazliu dhe KI 79/22, parashtruar nga Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët e kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e z. Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Lidhur më këtë çështje ka folur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo është shprehur se po pret vendimin e Kushtetutës për këtë çështje gjatë një prononcimi për KosovaPress.

“Ne jemi duke i analizuar materialet shtesë që i ka dërguar Këshilli Prokurorial i Kosovës sepse dosja që është dërguar nuk ka qenë e plotë, tani janë në analizë e sipër, dua ta potencoj që kemi marrë vërejtje të shumta që janë konstatuar nga ana e organizatave monitoruese, qofshin ata partnerë vendorë si OJQ apo ndërkombëtarë. Dhe në ndërkohë jam njoftuar zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese që një nga kundërkandidatët e ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese dhe natyrisht që duhet të pritet se cili do të jetë vendimi rreth kërkesës për masë të përkohshme” ka thënë Osmani.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar ndaj votimit të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

Hovenier tha se fakti që anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues, bie ndesh me atë standard.

“Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK, si institucion publik”, thuhet në komunikatë.

Edhe Koalicioni i Organizatave joqeveritare, Fol, IKD DHE GLPS kanë kërkuar që procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohet ngase asnjëri nga kandidatët nuk ka treguar shkathtësi për këtë pozitë.

Më 6 prill, Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Ai është votuar me 11 vota pro./Shqip.com