Lajme

Kushtetuesja pezullon vendimin për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHCK-së

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të kësaj partie, kishin parashtruar kërkesën në Kushtetuese kundër vendimit të 30 qershorit, me të cilin deputetët e Kosovës votuan pro shkarkimit të pesë anëtarëve të KPMSHC-së. Ata shprehën pretendimet se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kushtetuesja të mërkurën ka njoftuar se ka vendosur masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 15 dhjetor të këtij vendimi të Kuvendit, të cilin vendim e ka pezulluar menjëherë.

Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se Kuvendi duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

“Gjykata shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me masën e përkohshme dhe përgjigjen përkatëse të Kuvendit, dhe fillimisht, duke u referuar në praktikën e saj gjyqësore, sqaroi rrethanat kur aktet e Kuvendit, kushtetutshmëria e të cilave kontestohet nga dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës para Gjykatës, i nënshtrohen efektit pezullues, siç është përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatën për media./SHQIP.com